Opozita kaos në Kuvend pas dënimit të Salianjit, Ekonomi: Të majtë e të djathtë të barabartë para ligjit!

2 Tetor, 2024

Ditën e djeshme, 30 shtator, opozita riktheu skenarët e kaosit në Kuvendin e Shqipërisë. Demokratët, fillimisht u përplasën fizikisht me Gardën, hodhën sende të forta në drejtim të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali dhe më pas morën karriget e tyre dhe u vunë flakën në ambientet e jashtme të godinës. Shkak i “aksionit opozitar” u bë dënimi me një vit burg i demokratit Ervin Salinji. Ky i fundit akuzohet për kallëzim të rremë lidhur me dosjen “Babale”.

Sa i përket kaosit të shkaktuar në Kuvend, PS kërkoi përjashtimin e 24 demokratëve, ndërsa policia nisi hetimet për 23 prej tyre. Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, ishte deputetja e PS-së, Milva Ekonomi. Zonja Ekonomi tha se dënimi i Salianjit është bërë nga një Gjykatë profesionale dhe në sajë të Reformës në Drejtësi, të gjithë sot janë të barabartë para ligjit.

Intervista e plotë:

-Opozita këmbëngul se drejtësia është e dirigjuar nga qeveria. Çfarë argumentesh keni ju që nuk është kështu?

Ekonomi: Drejtësia u çlirua nga të gjitha aktet që kishin të bënin me pabindshmërinë dhe ekzekutimin jo të drejtë të ligjeve në favor të një grupi duke mos i bërë njerëzit të barabartë përpara ligjit. Reforma në Drejtësi i ka bërë të cenueshëm të gjithë ata që kryejnë një veprim i cili nuk është konform rregullave dhe ligjeve. Përpara ligjit janë të barabartë si të majtët dhe të djathtët, si një individ i thjeshtë ashtu edhe një individ politik. Duke pasur një gjykatë profesionale, çdo vendim që marrin për ata që veprojnë kundra ligjit është i barabartë. Ne mbështesim Reformën në Drejtësi dhe dënim të barabartë për të gjithë ata që cenojnë ligjin.

– Çfarë shënoi akti i djeshëm i deputetëve të opozitës?

Ekonomi: Kisha menduar se po i afroheshim një dialogu më të qëndrueshëm sepse na presin ngjarje të mëdha. 15 tetori është një ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe forcat politike duhet të jenë gati për të pritur datën sepse është një ëndërr e shqiptarëve, hapja e negociatave të vërteta sepse ka të bëjë me hapjen e kapitujve dhe me pozicionin negociues që do të mbajë Shqipëria. Deputetët e të dyja palëve duhet të bëhen gati të njehsojnë mendimin për gjëra që kanë rëndësi për vendin. Duhet të kemi dialog konstruktiv dhe kaosi i djeshëm nuk e mundëson këtë dialog.

-Sali Berisha e drejtoi PD edhe një herë drejt asaj që ai e quan mosbindje civile. A është dialogu tani një derë e mbyllur apo është një derë që herë hapet herë mbyllet sipas rastit?

Ekonomi: Dialogu ka rezultuar një derë që herë hapet herë mbyllet. Duhet të ketë zëra brend PD që të tregojnë se interesat e partisë janë më të vogla se interesat kombëtare, duhet të ulen dhe të mendojnë se ajo që do të ndërtojmë është në të mirë të vendit, jo në të mirë të kësaj gjenerate politike. Shpresoj se do të ketë reflektim nga ana e tyre. Ne jemi në parlament sepse na ka zgjedhur populli dhe vullneti i popullit ka qenë proevropian./vizionplus.tv