Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ironizuar thirrjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për mosbindje civile, dhe ato për përshkallëzim të dhunës.
Përmes një statusi në Facebook, Manja me ironi shkruan se ai që e shpiku mosbindjen civile, Mahatma Gandi, sfidoi perandorinë britanike duke u ulur në gjunjë në mes të rrugës, por pa dhunë, ndrësa Berisha kërkon të djegë Shqipërinë për interesa personale.
Siaps Manjës pavarësisht thirrjeve të Berishës dhe njerëzve të tij për dhunë dhe zjarr, askush nuk ka për ta ndalur përparimin e Shqipërisë drejt BE.
Postimi i Manjës:
– [ ] Tani kjo Mosbindja Civile mesa di unë është shpikja e madhe e Mahatma Gandit që sfidoi Perandorinë Britanike, duke u ulur në gjunjë për t’i prerë rrugën ushtrisë koloniale. Nuk më rezulton nga kërkimet e mia të fundit që Gandi të ketë përdorur mjete të forta për t’i goditur kundërshtarët britanikë, apo bidona benzine për t’u vënë shkrepsen institucioneve apo kazanëve të plehrave.
Kjo “Mosbindja Civile” e Saliut më duket se në thelb është një lloj rrugaçërie apo rrugëtarie jocivile siç do thoshte zonja Duma. Ai e predikon këtë rrugëtari apo rrugaçëri jocivile nga kafazi i arrestit shtëpiak, ku faktikisht nuk e ka mbyllur ndonjë narkoshtet, po e ka mbyllur mosbindja e tij jo civile ndaj organeve të drejtësisë. Që Saliu e ka armën e vet të vjetër politikën e mishit për top kjo dihet qëkur doli në skenë me dy gishta. Dihet edhe që gjithmonë ai ka topin, kurse ata që e ndjekin qorrazi si Salianji me shokë i vejnë në dispozicion mishin. Po duke qenë se e kalova gjithë javën e gjelbërt në qarkun e Lezhës dhe takova shumë njerëz atje – ku nuk gjeta një njeri të vetëm që e konsideronte Salianjin të burgosur të ndërgjegjes po ku të gjithë e konsiderojnë viktimë të mungesës së ndërgjegjes – e kam shumë vështirë ta kuptoj se kush do jenë “gandianët” e kësaj rrugëtarisë jocivile, që do shkojnë me këmbët e veta para drejtësisë për veprën penale të bllokimit të rrugëve apo shkatërrimit të pronës publike. Po edhe sikur të gjenden disa rrugëtarë që do merren me këtë dështim të radhës të opozitës me kokën në arrest shtëpie dhe me këmbët në mosbindje rrugore, ky fakt nuk do t’i ndryshojë dot të paktën tre të vërteta:
– [ ] E para, që kjo thirrja për rrëmujë vjen vetëm si përshkallëzim i hallit familjar të Saliut me drejtësinë dhe mbështetet nga deputetët me shkrepse nëpër xhepa, si përshkallëzim i hallit për t’u futur në listën e re të Saliut.
– [ ] E dyta, që kjo rrugaçëria apo rrugëtaria jocivile që medemek po shpërthen nga zemërimi për burgosjen politike të Salianjit, nuk e ndryshon dot të vërtetën se Salianji është një i dënuar për veprën penale të krijimit të rrethanave për një kallzim të rremë. Pra, për shkallën më të lartë të shpifjes përmes fabrikimit të fakteve të paqena.
– [ ] E treta, që kjo lajthitje e re e dhunshme që s’do prodhojë dot asgjë më shumë se sa lajthitjet e mëparshme të këtij lloji, shfaqet përsëri si një kovë e madhe zifti mbi Shqipërinë pikërisht kur vendi hyn në një fazë të re të negociatave me Bashkimin Evropian në mesin e këtij muaji.
– [ ] Kështu mendojnë shumica dërrmuese atje në Lezhë, Mirditë e Kurbin, ku unë kalova javën e gjelbërt të Kuvendit. Prandaj duke i falenderuar për kthjelltësinë po e mbyll këtu. /Vizionplus.tv/