Vetëm 6509 serbë kthyen patentë shoferët nga ilegal në të Kosovës

23 Gusht, 2024

Nga 19 mijë e 371, banorë sa ka komuna e Graçanicës sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, vetëm 223 nga ta morën mundin për të bërë kthimin e patentë-shoferëve nga ata ilegal serb në të Kosovës.

Kështu, me të përfunduar afati në orën 16:00 Agjencia e Regjistrimit Civil i dërgoi TV Dukagjinit, statistikat se sa persona kthyen patentë shoferët, në tërë Kosovën, edhe pas afatit shtesë prej 2 javësh që e dha Ministria e Punëve të Brendshme nën arsyetimin se pati interesim të madh.

Vetëm 6509 persona në total e kryen këtë obligim.

Në komunën e Leposaviqit ishte numri më i madh i tyre me 2018 persona, e vazhduar pastaj nga Mitrovica Veriore me 1576, e treta është Zveçani me 1177 konvertime, kurse Zubin Potoku 961.

Ndërkaq në komunat tjera ku ka shumicë të qytetarëve serb si Ranillug, Partesh e Kllokot nuk ka asnjë qytetarë që ka konvertuar patentë shoferin.

E prej javës së ardhshme, nëse qytetarët e prezantojnë patentë shoferin e lëshuar nga Serbia tek zyrtarët policor, këta të fundit do t’i konsiderojnë se nuk kanë fare patentë shofer.

Kështu atyre do t’u shqiptohen dënime sipas ligjeve të Kosovës, dënime të tilla sillën nga 500 deri në 1500 euro, dhe mund t’i  shtyhet aplikimi për marrjen e patentë shoferit deri në dy vite.

Konvertimit të patentë shoferëve ilegal të lëshuara nga ana e Serbisë me ato të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të automjeteve nga serbe në targa RKS, që kishin sjellë edhe disa kriza në veri të Kosovës.

Kalimi në patentë shofer RKS nuk ka kërkuar përsëritje të dhënies së provimit, por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar deri këtë të premte ka pasur kohë ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente në komunat e tyre.

Dokumentet që nevojiteshin ishin letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer.

Kur autoritetet e Kosovës morën këtë vendim Bashkimi Evropian tha se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Këtë vendim e pati përkrahur edhe ambasada amerikane në Kosovë.