Qeverisë i dërgohet kërkesë zyrtare për rritje të mbështetjes financiare për mbrojtje ndaj Thaçit

23 Gusht, 2024

Kryesuesi i Bordit të Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, Ismail Syla ka njoftuar se ka dërguar një kërkesë zyrtare ndaj institucioneve si kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut për rritjen e mbështetjes financiare juridike të ish-presidentit Hashim Thaçit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj tij.

Syla, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se dërgimi i kësaj letre zyrtare ndaj krerëve të institucioneve të vendit është për vendosjen e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike të ish-Presidentit, Hashim Thaçi ndaj procesit, duke shtuar .

Fondacioni  tutje ka shkruar se në mungesë të mjeteve financiare jo vetëm që i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati kryesor i angazhuar ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme.

Në këtë kërkesë zyrtare thuhet se Fondacioni nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme financiare për nevojat e ekipit mbrojtës të Thaçit.

“Fondacioni tutje ka thënë se  përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet e Kosovë, do të mundësohet “qasja efektive në drejtësi, respektivisht në garancionet që derivojnë prej saj, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kufizimi.”

Duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë z. Thaçi, pa paragjykuar procesin gjyqësor, i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, sipas Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre nuk është thjeshtë dhe vetëm e karakterit personal, por mbi të gjitha, është një betejë juridike në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së, si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës.

Për fund, përveç arsyeve të lartshënuara, Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instance të fundit i shërben vetëm drejtësisë respektivisht mundësive efektive për të mbrojtur integritetin e kauzës së drejtë të luftës së UÇK-së përballë tendencave për të vendosur paralele midis aktivitetit çlirimtar të kësaj organizate dhe krimeve të pashembullta të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të Serbisë para dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë”, vijon kërkesa.