Hyn në fuqi ligji për rivitalizimin e industrisë ushtarake, Vengu viziton uzinën e Mjekësit

23 Gusht, 2024

Nga sot hyn në fuqi ligji për industrinë ushtarake, që i hap rrugë modernizimit dhe rivitalizimit të kapaciteteve të trashëguara të kësaj industrie në Shqipëri.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, shoqëruar edhe nga zv.ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola vizituan uzinën e Mjekësit në Elbasan, për të çelur një kapitull të ri të kësaj industrie.

Ministri Vengu inspektoi disa nga mjediset e prodhimit dhe u njoh me punën që bëhet aktualisht në këto uzina. Ministri u takua me drejtues dhe punonjës të ndërmarrjes që ka nevojë emergjente për investime e që ligji i ri i siguron për ta transformuar sërish në institucion të rëndësishëm të mekanizmit ushtarak të vendit.

“Paketa ligjore adreson dhe një problematikë shumë të vjetër dhe e mbetur e pa adresuar ndër vite që është, shlyerja e detyrimeve të papaguara ndaj ish punonjësve, punonjësive aktualë, dhe të gjithë njerëzve që kanë kontribuar ndër vite në këto uzina dhe industri shumë të rëndësishme. Sot është momenti i një pikënisjeje të re për këtë industri.

Jemi sot bashkë me kryetarin e bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja sepse e gjithë kjo industri ka një impakt ekonomik të rëndësishëm, dhe ne synojmë që të ketë një impakt jo vetëm në punësim por në të gjithë komponentët e rijetëzimit të zonës, një hapësirë shumë e madhe e cila ka nevojë për një rehabilitim mjedisor, dhe kjo është puna e parë që do të bëjë kompania”, tha ministri Vengu.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë  Gledian Llatja pohoi se “ne e shohim shumë positive perspektivën ekonomike për punësimin pasi kjo është një zonë që zhvillon ekonominë e saj. Unë jam i bindur se edhe me standartet e reja që do të investohen do të jetë në fokus edhe punësimi, mjedisi, zhvillimi ekonomik, si edhe industria ushtarake”.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për industrinë ushtarake, bëhet i mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar të strategjisë ushtarake, në kuadrin e dinamikave aktuale globale të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ringritja e industrisë ushtarake do të kërkojë një qasje të integruar dhe të koordinuar që adreson jo vetëm aspektet teknologjike dhe operative, por edhe ato ligjore, financiare, ekonomike, sociale dhe ambientale.

Ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat, ndërsa Shqipëria pritet të forcojë përmes pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në qasje të plotë me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut./vizionplus.tv