Haradinaj: Vizita e shefit të CIA-s lajm i mirë për vendin, koha do ta dëshmojë për agjendën e Kurtit

23 Gusht, 2024

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si lajm të mirë vizitën e drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë.

“Vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës z. Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë. Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme”, tha ai.

Haradinaj ka theksuar se institucionet e Kosovës “duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën”.

Haradinaj tutje tha se koha do të dëshmojë për agjendën e Kurtit.

“Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, ia lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, tha ai.

Haradinaj, ditën e djeshme në “Five” të TV Dukagjinit, kishte thënë se shefi i CIA-s nuk e takon Kurtin për shkak se “është bllokuar” nga Amerika.

Por, këtë të premte, Kurti priti në takim drejtorin e CIA-s, Burns.