VIDEO/ Minuta dramatike në Spanjë, emigranti shpëton fëmijën që rrezikonte të binte nga ballkoni

22 Gusht, 2024

Një emigrant brazilian që jeton në Spanjë është kthyer në heroin e ditës.

Ai rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar një fëmijë të vogël, i cili ishte varur nga një ballkon i katit të dytë në qytetin bregdetar të Alicante dhe rrezikonte të rrëzohej.

Bëhet fjalë për Felipe David Souza, një piktor 29-vjeçar, i cili po përgatitej të shkonte në shtëpi të mërkurën kur dëgjoi britma jashtë banesës ku po punonte.

Ai hodhi një vështrim jashtë dhe pa se një turmë njerëzish ishte mbledhur në rrugë.

“Pashë një djalë të vogël me gjysmën e trupit jashtë”, u tha Souza gazetarëve.

Fëmija gjashtë vjeçar ishte i frikësuar dhe ndodhej i varur në parmakët e ballkonit, me njërën këmbë të varur.

Videoja e filmuar në vendngjarje tregon Souza duke lëvizur me shpejtësi mbi parmakët e ballkonit, e duke u kapur fort pas shinave të dritareve, teksa ecte përgjatë parvazit të ngushtë drejt fëmijës.

“E bëra pa menduar,” tha ai.

Pronari i një kafeneje aty pranë, Inés Su, ishte në mesin e atyre që shikonin me ankth shpëtimin nga poshtë. Fqinjët kishin thirrur policinë dhe kishin filluar të nxirrnin jastëkë në rrugë në rast se fëmija binte.

Souza tha se ishte i shqetësuar se mos afrimi i tij do ta trembte fëmijën dhe ai mund të rrëzohej.

“Unë po e shikoja fëmijën për ta mbajtur të qetë. Ishte një distancë e shkurtër, por mu duk shumë e gjatë.”

Souza tha se ishte falënderuar nga prindërit e tronditur, të cilët i thanë se ishin duke fjetur kur fëmija arriti të hapte dritaren dhe të rrëshqiste brenda pak sekondash.

“Jam shumë i lumtur që fëmija është i sigurt,” tha Souza.

Të enjten, një zyrtar nga këshilli i qytetit të Alicante i tha Souza-s se bashkia po planifikonte të njihte trimërinë e tij në një ceremoni çmimesh në nëntor./vizionplus.tv