“Udbashët serbë qeshnin kur na rrihnin shqiptarët”- Ish-e burgosura politike rrëfen si u rrah deri në alivanosje

22 Gusht, 2024

Ish-e burgosura politike, Zyrafete Kryeziu-Manaj, ka rrëfyer për torturat fizike e psikike gjatë kohës sa ishte në burgjet e ish-Jugosllavisë.

Ajo, në “Debat Plus”, u shpreh se serbët që ishin pjesëtarë të UDB-së argëtoheshin derisa udbashët shqiptarë pamëshirshëm e rrihnin atë dhe të burgosurat e tjera.

“48 orë ishin si 48 vjet, aty përveç torturës fizike ishte edhe ajo psikike. Vinin dy-tri udbashë në të njëjtën kohë, njëri në pyetje, tjetri një pyetje. Shpeshherë të godisnin me shuplaka e shufra përnjëherë. Kam qenë e lidhur për radiatori, s’kam pasur karrige të ulem. U ngarkojsha psiqikisht, thosha më mirë me ardhë vdekja sesa me qëndru në kthetrat e tyre, kanë qenë tortura të papërballueshme. Sado që mundohen të lahen tash, të thonë se e kemi pas detyrë. Aty kanë ardhë edhe udbashë serbë, pse ata nuk na maltretonin, ata i kishin veglat e mashat e tyre. Qeshnin me cinizëm kur na rrahnin shqiptarët, ata argëtoheshin me torturat tona. Tash thonë e kemi pas detyrë justifikohen”, tha ajo.

Sipas saj, në torturat ndaj saj dhe të burgosurave të tjera merrte pjesë edhe Zyra Kastrati, e cila herë e godiste e herë i hidhte ujë kur alivanosej.

“Zyra Kastrati nga Lëbuzha e Komunës së Deçanit, m’i kapke flokët dhe më thoshte po tentoni ta shkatërroni Jugosllavinë që ju ka bërë aq mirë. Bashkë me një udbash tjetër vinin në ora 2-3 të mengjesit, shoqet na vishnin më trash për mos me depërtu pendreki. Por ata na linin në teshën më të hollë dhe fillonin torturat. Zyraja herë godiste, herë na qitke ujë kur alivanoseshim”, tha ajo.