Tuneli i Murrizit drejt përfundimit, Balluku: Po betonohen 400 metrat e fundit, shpresojmë të jetë gati brenda vitit

22 Gusht, 2024

Në tunelin e Murrizit, pjesë e Rrugës së Arbrit, po punohet për betonimin e 400 metrave të fundit. Puna nuk është ndalur për asnjë moment, ndërkohë që gjeologjia dhe burimet e shumta ujore në zonë kanë ndikuar në ritmin e punimeve.

“I kemi vënë vetes disa afate që unë shpresoj shumë që ti mbajmë, pasi ky është një akses i jashtëzakonshëm për në verilindjen e vendit dhe më pas për në veri. Dibra e ka shumë të rëndësishme këtë rrugë, por jo vetëm Dibra, pasi sot e gjithë krahina e Matit gjithashtu është duke u zhvilluar nga ana e agroturizmit dhe nga ana e njësive të tjera industriale. Duhet thënë që është një akses për në dy pika kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht është një nga rrugët më të rëndësishme që lidh kryeqytetin. Kështu që unë shpresoj shumë që ky tunel, si përfundim dhe kurorëzim i kësaj vepre, i të gjithë Rrugës së Arbrit, të mbyllet brenda vitit 2024 dhe me gjasa duket sikur gjërat po ecin”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja Balluku gjatë inspektimit theksoi rëndësinë që ka kjo vepër e cila do të shkurtojë ndjeshëm distancën mes qarkut të Dibrës dhe kryeqytetit, duke nxitur njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga 11 tunele lidhëse të cilat lidhin tunelin kryesor me atë të emergjencës.