Ndonëse përmbajtja e raportit hetimor në rastin disiplinor ndaj gjyqtarit Agim Kuçi, i cili liroi Enver Sekiraqen doli në media këtë raport ende nuk e ka pranuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Sipas Betimit për Drejtësi, paneli hetimor i formuar nga KGJK-ja nuk ka gjetur shkelje disiplinore në rastin e lirimit të Enver Sekiraqës, nga arresti shtëpiak, pasi e dënoi me 25 vite burgim.
Paneli ka sqaruar edhe se gjykatësi Kuçi, ka vepruar në konsultim me anëtarët e tjerë të trupin gjykues, dhe se këtë e kishin thënë edhe vetë anëtarët që ishin dëgjuar si dëshmitarë në këtë rast.
Por, vendimi bazuar në këtë raport, nuk pritet të merret para datës 26 gusht.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), deri me datë 26 gusht 2024, është në pushim dhe ende nuk e ka pranuar Raportin nga Paneli Hetimor dhe Zyra e Disiplinës. Kështu që, sapo të pranohet raporti brenda afateve të përcaktuara do të procedohet me rastin, sipas ligjit në fuqi. Prandaj, në këtë fazë të procedurës nuk mund të komentojmë më shumë. Lidhur me këtë çështje, ju do të informoheni me kohë.”, thuhet nga KGJK.
Për përpilimin e raportit nuk është në dijeni as vetë kryesuesi i KGJK-së, i cili për Dukagjinin ka thënë se nuk e ka asnjë informacion për këtë sepse gjendet në pushim.
Televizioni ka pyetur edhe Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe vetë kryetaren Albina Shabani – Rama për deklarimet që e njëjta kishte bërë më herët, se gjyqtari Kuçi, nuk ishte konsultuar me asnjë nga anëtarët e trupit gjykues, kur kishte vendosur për lirimin e Sekiraqës por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje veçanërisht për këtë pyetje.
“Në lidhje me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se nuk kemi informacion në lidhje me raportin e Panelit Hetimor të cilit ju keni referuar në këtë e-mail, megjithatë ju njoftojmë se në momentin që Kryetarja e Gjykatës inicion procedurën disiplinore në KGJK, kompetencat e saj përfundojnë dhe për të gjitha pyetjet që ju interesojnë ju lutem të drejtoheni në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Gjyqtari Agim Kuçi, në shpalljen e aktgjykimit muaj më parë, e kishte lënë të lirë Sekiraqën i cili ishte në arrest shtëpiak, e që pasi Apeli vendosi që i njëjti të kthehet në paraburgim, policia nuk e kishte gjetur të njëjtin në shtëpi, duke e shpallur atë në kërkim. Ai vazhdon të jetë në arrati që nga muaji maj.