Ish e burgosura politike tregon se si UDB-ashët shqiptarë e torturuan motrën e saj 16 vjecare

22 Gusht, 2024

Ish-e burgosura politike Zyrafete Kryeziu-Manaj, ka treguar në “Debat Plus” se përveç saj UDB-ashët shqiptarë i kishin torturuar edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Ajo ka treguar për momentin e arrestimit të saj dhe të dy motrave të saj, njëra nga to 16 vjeçare.

Na kanë marrë të triave në një rast. Teuta nga Kumanova dhe Shemsie Elshani kanë organizuar që të lëshojnë një parullë të shkruar 6-7 metra, ndërtesa më e lartë në Suharekë, kanë pretenduar ta lëshonin parullën. Përveç ato, na kanë arrestuar edhe neve tri motrave, na kanë fut në një dhomë-burg, aty më kanë lënë mu dhe Myrvetin kurse motrën e vogël e kanë marrë në dhomat e hetuesisë lartë, e ka marrë Daut Morina, Ilaz Vranovci dhe Idriz Gega i cili s’ka qenë UDB-ash por pothuajse UDB-ash”, tha ajo.

Ajo ka treguar për maltretimet ndaj motrës së  saj 16 vjecare.

“E kanë marrë lart, ne ishim poshtë, ai ishte kati mbi neve. Dëgjohej britma e saj, ne si dy motra ishim mbyllur e dëgjuam motrën tjetër tonë, ishte një karrige e prishur me këmbët e saj e kemi thy derën, kemi tentuar ta ndihmojmë motrën, por s’kemi arritur të hynim në atë zyre ku maltretohej ajo. Atë tentonin ta shtyenin ta pranojë që ne kishim lidhje me ato vajza që kishin tentuar ta bëjnë atë aksion. Te dera u ndalëm, na kthyen përsëri në dhomën burg”, tha ajo.

UDB-ashët sipas aj tentonin që ta detyronin të fliste motra e saj 16 vjecare, por që ajo asnjëherë nuk kishte dhënë asnjë informacion.

“Më duket dy ditë kemi qenë aty, asnjëherë nuk na kanë marrë në pyetje por është maltretuar vetëm motra e vogël. Për arsye se kanë insistuar te ajo që ta bëjnë të fliste që edhe ne kemi qenë bashkorganizatore në atë aksion, por ajo s’pranonte, ka qenë e pathyeshme edhe pse fëmijë”, tha ajo.