Haradinaj: Vizita e shefit të CIA-s dëshmon se Ballkani e ka vëmendjen e inteligjencës amerikane

22 Gusht, 2024

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është duke qëndruar për një vizitë në Kosovë më 22 gusht.

Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kryeqytet. Në atë takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Sa i përket kësaj vizite dhe domethënies së saj, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo dëshmon se Ballkani është në vëmendjen e inteligjencës amerikane.

Ai e ka cilësuar të dobishme vizitën e shefit të CIA-s, derisa ka shtuar se kjo është edhe porosi për armiqtë që duan ta destabilizojnë rajonin.

“Kjo vizitë është shumë ndihmesë sepse ndihmon në stabilitetin e rajonit, ardhja e drejtorit të CIA-s, është ndihmesë për stabilitetin, është porosi për stabilitetin e sigurisë. Asgjë nuk ndodh rastësisht, janë pjesë të strategjisë për forcimin e sigurisë, janë pjesë e një analize. Dëshmon se rajoni jonë e ka vëmendjen e një niveli më të lartë dhe të inteligjencës amerikane, kjo vizitë konfirmon se ky rajon e ka vëmendjen e Amerikës, dhe është porosi e institucioneve, popullit të rajonin se e kemi këtë përkujdesje. Është edhe porosi për armiqtë e stabilitetit të brendshëm e të jashtëm se nuk mundeni ta destabilizoni Ballkanin”, tha ai.