Çifti Obama sulmon Trump, kërkojnë mbështetje për zgjedhjen e Kamala Harris si presidente

21 Gusht, 2024

Ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe zonja e tij Michele dominuan natën e dytë të konventës së Partisë Demokratike që po mbahet në Çikago ndërsa Kamala Harris u shpall zyrtarisht kandidate për president.

Mes thirrjeve ‘Po, ajo mundet’, Obama u ngjit në skenë dhe iu kërkoi votuesve të mbështesin Kamala Harris.

“Ne nuk kemi nevojë për katër vite të tjera rrëmuje, trazirash dhe kaosi. Ne e kemi parë atë film më parë dhe të gjithë e dimë se vazhdimi është zakonisht më i keq. Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më të mirë. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris”, tha Obama.

Obama vuri në shënjestër Trump që e pasoi atë në Shtëpinë e Bardhë në 2017 dhe lavdëroi presidentin Joe Biden.

“Historia do ta kujtojë Joe Biden si një president që mbrojti demokracinë në një moment rreziku të madh. Jam krenar  ta quaj presidenti im, por edhe më krenar ta quaj mikun tim. Ne të duam Joe!”, tha Obama.

Michele Obama nxiti brohoritje të mëdha nga delegatët me kritikat për deklaratat raciste të Donald Trump.

“Kush do t’i thotë atij se puna që po kërkon aktualisht, mund të jetë vetëm një nga ato ‘punët për të zinjtë?”, tha ish-zonja e parë.

Nëse zgjidhet, Kamala Harris do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në Shtëpinë e Bardhë dhe personi i parë me ngjyrë nga Azia jugore që zgjidhet president i SHBA.

Ashtu si në ditën e parë edhe në të dytën, konventa e demokratëve u shoqërua me protesta pro palestineze e kundër mbështetjes së SHBA ndaj Izraelit, megjithatë, shumë prej folësve në Konventë e shamngën këtë temë./vizionplus.tv