Nis intervistimi i Kurteshit nga Prokuroria Speciale

20 Gusht, 2024

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi është paraqitur sot [ e martë] në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës për t’u intervistuar rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Kurteshi është paraqitur në Polici me ftesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Vlen të përmendet se Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi, ka ngritur akuza serioze ndaj institucioneve dhe individëve në lidhje me rastin e Astrit Deharit, duke pretenduar se arrestimet dhe hetimet e vitit 2016 ishin një inskenim politik.

Sipas Kurteshit, arrestimi i Astrit Deharit dhe pesë aktivistëve të LVV-së në gusht të vitit 2016, pak ditë përpara protestës kundër demarkacionit, ishte një inskenim i organizuar me qëllim për të fshehur autorët e vërtetë (të sulmit në Kuvendin e Kosovës) dhe për të penguar opozitën.

“Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit. Ky ishte inskenimi i sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit te Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimi i VV-së me qëllime te caktuara politike. Prej datës 5 gusht 2016 deri me 25 gusht, sipas policisë se Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashke me 5 aktivistë tjerë të VV-së për këtë sulm.

Kjo ishte vetëm dy ditë përpara se të mbahej protesta kundër demarkacionit në vitin 2016. Në këtë përpjektë policia ka bërë përpjekje siç thonë në gjuhën e popullit me një guri me i vra jo dy por tre zogj. Më urdhër politik nga lartë, në këtë inskenim në përgjithësi kundër LVV-së kanë qenë të përfshirë AKI-ja, Policia, Prokuroria, Gjyqësori dhe disa media në Kosovë të cilat do ti përmendim me emër”, ka thënë Kurteshi.

 

“Presidenti, AKI-ja, Policia e mediat”, Kurteshi i VV-së “s’lë njeri” pa akuzuar për rastin Dehari