Hoxha për deklaratën e Kurtit: Plan B mund të mos ketë, por sekuencim të planit A

20 Gusht, 2024

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Valdet Hoxha njëherësh avokat ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mund të mos ketë plan B për hapjen e urës së Ibrit por sekuencim të planit A mund të ketë.

Në emisionin “FIVE”, Hoxha teksa ka komentuar deklaratën e Kurtit i cili tha se “Nuk mund të kemi plan B nëse nuk respektohet plani A dhe nëse nuk ka vullnet të mirë dhe mirëbesim të palëve”, ka thënë se plani A mund të sekuencohet në A1, A2, A3 deri sa të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

“Mund të mos ketë plan B sic tha Kurti por planin A e sekuencon në A1, A2, A3 deri sa të ketë koordinim të plotë me aleatët”, ka deklaruar Hoxha.

Ai thotë se këshillat e aleatëve janë që në këtë kohë mos të ketë hapje të urës së Ibrit pasi siç po deklarojnë nuk është momenti i duhur.

Në anën tjetër edhe ish-ministri i mjedisit, Fatmir Matoshi ka thënë se tema për hapjen e urës së Ibrit është bërë shumë e madhe.

Ai ka thënë se çdo veprim për këtë çështje duhet të merret në koordinim me organet e sigurisë e ndërkombëtarët.

“Është bërë temë më e madhe se që duhet, mundet të rrezikojë të na sjellë në një situatë tjetër. Cdo bisedë, diskutim, negociatë do duhej të bëhej me akterët e sigurisë, ata që janë përgjegjës për sigurinë e vendit tonë e ndërkombëtarët”, ka deklaruar Matoshi.

Azemi: Nuk ka politikë unifikuese shtetërore për urën e Ibrit

Po ashtu edhe ish-asamblisti në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Emir Azemi ka thënë se kjo temë flitet qe 25 vjet.

Sipas Azemit, nuk ka një politikë unifikuese shtetërore karshi temës për hapjen e urës së Ibrit.

“Tash e 25 vjet jemi duke dëgjuar fjali të kësaj natyre që nesër pasnesër do hapet ura. Është interes fizik e politik e psikologjik për banorët, duke marrë parasysh rrethanat e krijuara politike. Nuk ka një politikë unifikuese shtetërore karshi kësaj teme. Kjo përallë po zgjat qe 25 vjet”, ka deklaruar Azemi.