Nisi me gola, emocione dhe rezultate surprizë sezoni i ri i kampionatit italian.
Inter, kampion në fuqi, dhe Milani, kandidat i fortë për titullin, nuk shkuan më shumë sesa barazimet respektive 2 me 2. Zikaltërit ishin të parët që zbritën në fushë në Xhenova kundër skuadrës vendase. Ekipi i Xhilardinos zhbllokoi shifrat me anë të Voljakos në minutën e 20. Miqtë barazuan shpejt në minutën e 30 me anë të Markus Turam. Francezi ishte heroi i Interit pasi përmbysi shifrat në pjesën e dytë. Megjithatë teksa u duk se skuadra e Inzagit do ta niste me fitore mbrojtjen e titullit, një penallti në minutën e 5 shtesë i dha mundësi Xhenovës që të barazonte me anë të Zhunior Mesias, edhe pse në tentativën e dytë pas pritjes së Zomer. Mesfushori kuqezi Asllani luajti pak minuta në fund të sfidës.
Në mbrëmje ishte radha e Milanit, skuadrës me trajner të ri dhe me emra të rinj të ardhur në merkato që nuk u aktivizuan nga tekniku Fonseka. Ndonëse dominuan Torinon, vendasit nuk finalizuan dot, e madje gabuan duke u ndëshkuar me autogol në minutën e 31 nga Malik Çau. Deri në fund të pjesës së parë disa raste të pastra për Milanin dhe sidomos Torinon të pashfrytëzuara. Shumë emocione në të dytën. Torino goditi sërish me Duvan Zapaten. Aktivizimi i Moratës ndryshoi ndeshjen te kuqezinjtë. Spanjolli rihapi ndeshjen në minutën e 89, pastaj në minutën e 95 Okafor barazoi shifrat, duke shmangur një humbje që në start.
Në dy takimet e tjera Parma dhe Fiorentina u ndalën në barazim 1 me 1, ndërsa Empoli-Monxa 0 me 0. Të katërta sfidat u transmetuan në Tring. /vizionplus.tv