Gjermania do të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën

17 Gusht, 2024

Gjermania planifikon të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën në planin e saj buxhetor për vitin 2025, tha sot një burim parlamentar për AFP.

Qeveria e Olaf Scholz nuk parashikon ndihmë shtesë përtej 4 miliardë eurove të përfshira në buxhetin e vitit të ardhshëm për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën, tha burimi, duke konfirmuar raportet e shtypit.

Ndihma e Berlinit, e cila kontribuon më së shumti pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sivjet arrin në 8 miliardë euro.

Në këmbim, Gjermania po mbështet “në krijimin, brenda kuadrit të G7 dhe Bashkimit Evropian, të një instrumenti financiar që do të përdorë asetet e ngrira ruse”, shtoi një burim i Ministrisë së Financave.

“Ndihma dypalëshe gjermane mbetet në nivelin më të lartë, por mbështetet në efektivitetin e këtij mjeti,” komentoi burimi.

Vendimi ishte subjekt i një marrëveshjeje midis kancelarit socialdemokrat dhe ministrit liberal të financave, Christian Lindker, sipas Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung në edicionin e saj të fundjavës.

Projektbuxheti për vitin 2025 ka qenë objekt debatesh intensive brenda koalicionit trepartiak të Liberalëve, të Gjelbërve dhe Social Demokratëve.

Projektbuxheti nuk është megjithatë përfundimtar dhe pritet të debatohet më tej në parlament përpara se të miratohet deri në fund të vitit.

Aleatët e Ukrainës kanë punuar për disa muaj në një mekanizëm që do të lejonte që disa prej 300 miliardë dollarëve në asetet ruse të ngrira në mbarë botën të përdoren për të mbështetur Kievin në luftën e tij kundër ushtrisë ruse.

Një “marrëveshje politike” midis vendeve të G7 u arrit në mes të qershorit mbi një propozim të SHBA për të financuar një kredi prej 50 miliardë euro për Ukrainën./vizionplus.tv