Fillimi i shtatorit të këtij viti i rikthen shumë nxënës nëpër banka shkollore dhe si rrjedhojë Ministria e Arsimit ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit do ta bëjë subvencionimin direkt të prindërve për blerjen e teksteve shkollore.
Vendimin e MAShT-it për subvencionimin e librave, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Viti, Arta Ajeti e konsideron paska të vonshëm, sepse sipas saj ky proces është dashur të fillojë qysh nga muaji qershor-korrik.
“Ky proces ka qenë dashur të filloj që nga muaji qershor-korrik dhe kështu prindërit, nxënësit do të kenë kohë për përfundimin e procedurave në sistem”, ka thënë Ajeti për Telegrafin.
Sipas saj, edhe hapja e sistemit E-Kosova në këtë periudhë kohore është e vonshme, teksa ka theksuar se shtatori do “t’i gjejë” të gjithë nxënësit pa tekste shkollore.
“Prandaj, hapja e sistemit E-Kosova në këtë periudhë kohore mendoj se është e vonshme, pasi që është e vështirë që shtatori i vitit të ri shkollorë 2023-24 do t’i gjej të gjithë nxënësit të furnizuar me tekste shkollore dhe të përgatitur për të filluar mësimin”, ka theksuar drejtoresha Ajeti.
Në krahasim me vitin e kaluar, Ajeti thotë se mbi 90% e nxënësve janë furnizuar me tekste shkollore, sepse sipas saj, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë ka ndihmuar shumë prindër lidhur me këtë proces.
“Pavarësisht sfidave që kanë qenë vitin e kaluar lidhur me aplikimin në sistem-hapjen e llogarive përmes E-Kosova, ku ne si DKA përmes zyrtarëve kemi ndihmuar shumë prind lidhur me këtë proces, dhe kështu mbi 90% e nxënësve janë furnizuar me tekste shkollore”, ka thënë tutje Ajeti.
Ajeti tutje potencon se këtë vit mund të jetë më i lehtë procesi i aplikimit.
“Tani, këtë vit po besojmë që është paksa më e lehtë, pasi që shumica e prindërve kanë të hapur llogaritë në E-Kosova dhe janë të njohur me procedurat”, ka potencuar ajo.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kamenicës, Afrim Dervishi vendimin e MAShT-it, nuk e konsideron të vonshëm, sepse sipas tij, ka kohë të mjaftueshme për blerjen e teksteve shkollore.
“Jo, nuk është vonë procesi i aplikimit të prindërve dhe blerja e teksteve shkollore sepse ka kohë të mjaftueshme. Janë dy javë deri në fillimin e vitit shkollor. Nëse brenda një jave kryhet procesi i aplikimit dhe transferi i parave në llogari të prindit, mbetet mjaftë kohë për t’i blerë ato”, ka thënë Dervishi për Telegrafin.
Tutje, Dervishi thotë se subvencionimi i prindërve me mjete shkollore është proces pozitiv te fëmijët.
“Prindi ka detyrë të sigurohet për nivelin e furnizimit të fëmiut të tij me tekste dhe materiale të tjera mësimore. Prandaj, subvencionimi i prindërve dhe angazhimi i tyre me pajisje, tekste shkollore dhe të tjera për fëmijët është proces pozitiv”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, në vendimin e Ministrisë së Arsimit thuhet se këtë vit nxënësit nga klasa e parë deri në atë të pestë do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa për nxënësit nga klasa 6-9, subvencionimi do të jetë 110 euro./Telegrafi