Bashkimi Evropian po e konsideron hapjen e Urës së Ibrit si çështje të dialogut edhe pse “Qeveria e Kosovës po vepron në të kundërtën”, thotë zyrtarja e BE-së, Nabila Massrali.
Në një konferencë për media, Massrali ka thënë se BE-ja po planifikon që “statusin” e Urës së Ibrit në Mitrovicë ta vendosë në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut në mes të Kosovës e Serbisë ndonëse nuk dihet se kur do mbahet.
“Si zakonisht, se kur do të mbahet rundi i radhës i dialogut, do të komunikohet me kohë. Kështu që kjo është ajo që mund të them. Në lidhje me çështjen e Urës, siç e dini, kjo është pjesë e dialogut, pavarësisht faktit se qeveria në Kosovë po vepron në të kundërtën. BE-ja planifikon që statusin e urës ta vendosë në agjendë për takimin e radhës”, ka deklaruar ajo.
Diskutimet për hapjen e Urës së Ibrit nga qeveria e Kosovës kanë marrë kritika nga ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.