Bulliqi pret që rruga Prishtinë – Podujevë të përfundojë këtë vit, qytetarët skeptikë

11 Gusht, 2024

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pret që rruga Prishtinë – Podujevë të përfundojë brenda këtij viti. Por, qytetarët dhe bizneset që janë afër rrugës ku po kryhen punimet, janë skeptikë.

Ata janë ankuar se si shkaku i zgjatjes së punimeve shumë biznese janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen.

Por, Bulliqi ka thënë se punimet në rrugë po realizohen sipas planit dhe se është duke u bërë çdo gjë që është e mundur që punimet të përfundojnë brenda këtij viti.

“Punimet janë duke u realizu sipas planit. Informacionet të cilat i kam nga Ministria e Infrastrukturës është që po bëhet ç’është e mundur që ta përfundohen punimet brenda këtij viti. Presim që të përmbyllet brenda një viti, por natyrisht mund të mbetet ndonjë finesë, por besoj që brenda këtij viti do të bëhet e qarkullueshme. Rruga Prishtinë-Podujevë e dimë që është prej rrugëve më të ngarkuara me trafik që vjen e shtohet me ardhjen e bashkatdhetarëve. Pasi njëra trase pothuajse është e lidhur me tërë gjatësinë e kësaj rruge nuk është vërejtur ndonjë pengesë shumë e madhe, por pengesa ka gjithsesi”, ka thënë Bulliqi.

Sa i përket ankesave, Bulliqi ka thënë se me krijimin e njërës trase është lehtësuar puna edhe për kompaninë edhe për lokalitetet.

“Ndonjë ankesë mund të jetë, por nuk mund të punohet pa pasur pluhur, janë normale ato gjëra. Mendoj që ato gjera tani kanë evoluar, me qenë traseja e parë është lidhur me tërë gjetësin e saj, kanë mbete disa segmente të shkurtra, besoj që jashtëzakonisht më tepër është lehtësuar situata edhe për kompanitë por edhe për lokalitet”, ka thënë ai raporton Ekonomia Online.

Qytetari Enver Avdullahu, i cili zotëron një biznes mobilierie, është ankuar për mënyrën se si janë duke u zhvilluar punimet në këtë rrugë, duke shtuar se hall të madh e kanë edhe pluhurin që po shkaktohet.

Ai ka thënë se si shkak i saj, shumë biznese janë mbyllur e shumë të tjera rrezikojnë të mbyllen.

“Qysh pe shihni edhe vet rruga është Zoti hajr e boftë. Sot e shtrojnë e nesër vjen një tjetër grup e masin edhe e heqin, pastaj një tjetër grup që thonë jo duhet me e shtru prapë. Nuk e di çka po bëjnë e çka po marrojnë. Na mbyti pluhuri. Nuk besoj deri ta shohë krejt të përfunduar. Gjithë bizneset thuajse janë mbyllur, po largohen, gjithë kanë mu ndërpre e me ndal biznesin e vetë”, ka thënë ai.

Edhe Faton Abdullahu, banor i kësaj ane ka thënë se duke parë mënyrën se si po punohet, nuk pret që rruga të përfundojë brenda këtij viti.

“Në bazë të këtij ritmi që janë duke shku s’po ma merr mendja që do e përfundojnë, sepse po pauzojnë e ndonjëherë shkojnë me tempo më të shpejtë e ndonjëherë më të ngadaltë. Ka pluhur, papastërti e bizneset thuajse veç se kanë me u mbyllë. Nuk kemi çka me u anku na kur ata duhet me ardhë vet me u interesuar se kur po vjen puna me lyp vota po vijnë. Ata duhet me ardhë me shiku vendin e ngjarjes edhe me u interesuar për qytetarët e vet se çfarë halli kanë”, ka thënë ai./EO