Planifikoi sulm terrorist në koncertet e Taylor Swift, arrestohet i dyshuari i tretë

10 Gusht, 2024

Autoritetet austriake kanë arrestuar një të dyshuar të tretë në lidhje me një sulm të dyshuar terrorist që do organizohej në shfaqjet Eras Tour të Taylor Swift.

Ministri i Brendshëm i Austrisë Gerhard Karner tha ditën e sotme, se një 18-vjeçar u arrestua. Karner tha se adoleshenti kishte qenë në kontakt me të dyshuarin kryesor 19-vjeçar në këtë rast, i cili u arrestua në fillim të kësaj jave së bashku me një të dyshuar 17-vjeçar.

18-vjeçari “vjen nga mjedisi social” i të dyshuarit kryesor, tha Karner. 18-vjeçari dhe i dyshuari kryesor akuzohen si te infiltruar me ISIS.

“Ai kishte qenë në kontakt me autorin kryesor, por nuk është i lidhur drejtpërdrejt me planet e sulmit”, tha ministri austriak. “Por, siç u zbulua disa ditë më parë, ai u betua për besnikëri konkretisht ndaj IS më 6 gusht”.

Swift do të performonte tre koncerte në stadiumin Ernst Happel midis të enjtes, 8 gusht dhe të shtunës, 10 gusht, si pjesë e turneut të saj Eras. Megjithatë, promovuesi i koncerteve Barracuda Music njoftoi të mërkurën se të tre shfaqjet ishin anuluar për shkak të sulmit të planifikuar.

“Shfaqjet e Taylor Swift The Eras Tour në Vjenë u anuluan për shkak të konfirmimit të zyrtarëve qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist,” ndau Barracuda Music në një deklaratë përmes Instagram.

“Me konfirmimin e zyrtarëve qeveritarë për një sulm të planifikuar terrorist në stadiumin Ernst Happel, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tre shfaqjet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve.”