Arratisja e nëntë dhe e fundit, kush ishte Faton Hajrizi?

10 Gusht, 2024

Jo rrallë kishte folur për krimet e kryera.

Theksin, në paraqitjet e tij mediatike, e kishte vënë tek një vrasje që e kishte kryer në moshë të re, atë të një ushtari rus pak pas lufte, e duke mos përmendur edhe shumë vepra të tjera për të cilat ishte dënuar.

Por emri i Faton Hajrizit u lidh më shumë me arratisjet e tij nga burgjet, për vite të tëra.

Disa muaj pasi kishte qëndruar në burgun e tipit të hapur në Smrekonicë, Hajrizi arriti që për herë të nëntë të ikë nga grilat.

Pas arratisjes më 6 korrik, me një maskë që i mbulonte një pjesë të fytyrës, u shfaq në një rrjet social.

Kapja e tij, mendohej çështje ditësh. Por nuk doli kështu.

Më 18 korrik, një zyrtar policor u vra e një tjetër u plagos në Lloznicë të Serbisë, e në vendngjarje zbulohen dokumentet e Artan Hajrizit, vëllaut të Fatonit.

Pasi u paraqit disa herë në media kosovare po atë ditë, Artan Hajrizi u hoq nga lista si i dyshuar.

Fatoni, kishte dokumentet e vëllait të tij, e ky i fundit dha një verzion se si kishte mundur të ndodhte kjo.

Pas një kërkimi intenziv në të cilin ishin angazhuar njësi të shumta të policisë e ushtrisë serbe, një ditë më vonë u raportua se është vrarë pas një shkëmbimi zjarri.

Disa persona u arrestuan në Serbi nën dyshimet se i kishin ndikuar të shkonte deri në Lloznicë, afër kufirit me Bosnjë e Hercegovicnën, por autoritetet serbe thanë se do të kërkojnë edhe ekstradimin e vëllait të tij, Artan Hajrizi, që e konsideronin bashkëpuntor.

Rastit, nuk hezituan që t’i japin kontacione politike e duke pretenduar se bëhej fjalë edhe për një sulm terrorist.

Hajrizi, pjesën më të madhe të jetës e kaloi në burgje.

Në morinë e veprave penale që kishte, më së shumti Faton Hajrizi njihet për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, më 29 shkurt të vitit 2000. Aso kohe, ai ishte 15-vjeçar.

Por grilat e burgjeve, nuk arritën ta mbanin brenda gjithmonë gjatë kohës sa vuante dënimin.

Për herë të parë, Faton Hajrizi ishte arratisur në vitin 2000 nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën Veriore rreth orës 5 të mëngjesit, duke dalë nga dritarja e tualetit.

Në paraqitjet mediatike të tij, ai pretendonte se për t’u arratisur, në herat e tjera kishte prerë edhe grilat me sharra të kontrabanduara nga jashtë e madje, kishte përdorur edhe ventilatorin si dalje.

Në nëntor të po atij viti, Hajrizi kishte ikur edhe nga Qendra e Paraburgimit në Skenderaj.

Në vitin 2005, Hajrizi kishte arritur të arratisej edhe nga burgu i Pejës për t’u arrestuar përsëri në tetor të vitit 2006.

Gjatë kësaj kohe, Hajrizi ishte dënuar edhe për dy vepra të grabitjes së armatosur.

Nga ajo grabitje, Hajrizi ishte larguar me para, telefona, cigare e mbushje telefoni. Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje. Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.

Ndërkaq, një vit më vonë, së bashku me gjashtë persona të tjerë, Hajrizi kishte arritur të arratisej edhe nga burgu i Dubravës.

Arratisjen tjetër dhe të parafundit, Hajrizi e kishte nga Qendra e Paraburgimit në Prizren gjersa po bënte shëtitjen ditore të tij.

Ikja nga Smrekonica, rezultoi e fundit për Hajrizin, trupi i të cilit pas tri javësh në Serbi u kthye në Kosovë dhe  pas përfundimit të procedurave ligjore, do t’i kthehet familjes.