Plas skandali në Lojërat Olimpike, mundësi egjiptian arrestohet për sulm seksual

9 Gusht, 2024

Mundësi egjiptian Mohamed Elsayed është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit nga policia franceze pasi akuzohet për ngacmim seksual. Ai dyshohet se kishte sulmuar një grua jashtë një kafeneje në zonën e Austerlitz në lagjen e 13-të të Parisit.

“Mundësi është vendosur në pranga, sepse dyshohet se ka prekur të pasmet e një klienteje në një kafene”, thuhet në një deklaratë nga autoritetet franceze.

Edhe pse autoritetet nuk e zbuluan emrin, delegacioni egjiptian konfirmoi identitetin e mundësit si Mohamed Elsayed. Në Lojërat e Parisit, atleti u eliminua në raundin e 16-të të mërkurën kundër azerit Hasrat Jafarov. Mundësi thuhet se ishte “plotësisht i dehur” kur u arrestua, sipas shtypit vendas. Komiteti Olimpik i vendit tha në një deklaratë të veçantë të premten se hapi një hetim për incidentin.