Paralajmërimet për sanksione, qeveria ngul këmbë për hapjen e Urës së Ibrit

9 Gusht, 2024

Përderisa masat kundër Kosovës mbeten në fuqi, nga Bashkimi Evropian është paralajmëruar mundësia që ato të shtohen.

“Molla e sherrit” për masat e reja potenciale është ideja dhe fillimi i procedurave për hapjen e urës së Ibrit që ndan Mitrovicën Jugore dhe atë Veriore.

Pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërruar mendje dhe qëndimi është i njëjtë, ani se mund të ketë pasoja të reja.

“Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, thuhet nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, partitë opozitare në vend megjithëse janë pro hapjes së urës e lirisë së lëvizjes, kritika kanë për mënyrën se si po e bën Albin Kurti e Qeveria e tij.

“Përse në kohë vere dhe me këtë agjendë?! Qëllimi është shumë i qartë. E gjitha është për një konsum të brendshëm politik, por në anën tjetër dëmin që mund t’ia shkaktojnë Kosovës, mund të jetë i pariparueshëm sepse këtu nuk po flasim për dokumente si letërnjoftime, patent-shoferë apo për dinarin si mjet pagese, por po flasim për një objekt që NATO dhe KFOR e konsiderojnë si objekt të rëndësisë së veçantë dhe një koordinim i domosdoshëm duhet me qenë”, ka deklaruar Latfi Haziri nga radhët e LDK-së.

E njohësi i politikave vendore, Dritëro Arifi foli për masat e mundshme me të cilat mund të ballafaqohet Kosova nëse vazhdon moskoordinimi.

“Nëse vazhdon me sanksione nuk është se do të na mbysin, por esenca është se Kosova mund ta harrojë anëtarësimin në BE për një kohë shumë të gjatë, duke e ditur që brenda BE-së ka shtete që nuk dëshirojnë ta shohin Kosovën fare të pavarur. Ky është një perceptim jashtëzakonisht fëmijëror edhe banal i politikës së jashtme të Qeverisë së Kosovës. Prandaj duhet që të jemi më të qetë, nëse ne themi që e kemi nën kontroll veriun, s’ka pse të ngutemi. Me hapa të ngadalshme e arrijmë, jo të hapim një urë por të hapim një mijë ura”, ka deklaruar Arifi.

Të enjten ka përfunduar faza e dytë e testimit për stabilitet të Urës së Ibrit dhe pritët që raporti të del brenda 2-3 ditëve në mënyrë që të dihet nëse ajo infrastrukturë është e gatshme të lirohet për qarkullim të automjeteve.