Shkëmbimi i të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit, Yulia Navalny: Alexei do ishte mes përfituesve nëse do ishte gjallë

8 Gusht, 2024

Yulia Navalnaya, e veja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, thotë se burri i saj i ndjerë është dashur të ishte në mesin e atyre që u liruan nga burgjet ruse javën e kaluar gjatë një këmbimi të të burgosurve mes Moskës dhe Perëndimit.

Në një deklaratë të publikuar në YouTube më 8 gusht, Navalnaya thotë se ajo dhe bashkëpunëtorët e Navalnyt kishin thënë pas vdekjes së tij se një këmbim i të burgosure, që do ta përfshinte bashkëshortin e saj, ishte në fazën finale, para se ai të vdiste në një burg të Arktikut në shkurt.

“Bashkëshorti im, Alexei Navalny, është dashur të ishte në bordin e avionit që fluturoi së pari në Ankara dhe pastaj në Këln. Ne e thamë këtë para gjysmë viti, menjëherë pasi ai u vra në burgun korrektues në Harp. Ai ka qenë njeriu që duhej të këmbehej për vrasësin e FSB-së [Vadim] Krasikov, i cili po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Gjermani”, tha Navalnaya.

“Vetëm mendimi që Navalny mund të lirohej dukej i tmerrshëm për [presidentin Vladimir] Putin, prandaj ai e vrau atë”, tha Navalnaya, duke shtuar se, megjithatë, ajo ndihet e lumtur që shumë njerëz të burgosur padrejtësisht u liruan javën e kaluar.

“U bë kohë e gjatë që nuk e ndieja një lehtësim dhe lumturi të tillë, por, njëkohësisht, ndjeva edhe hidhërim”, tha ajo.

Ajo përmendi që shumë kritikë të tjerë të Putinit mbesin në burgjet ruse, përfshirë Aleksei Gorinov; Daniel Kholodny; avokatët e Navalnyt Vadim Kobzev, Igor Sergunin, Antonina Favorskaya dhe Aleksei Liptser; sociologu Boris Kagarlitsky; bashkëkryetari i lëvizjes Golos (Zëri), Grigory Melkonyants; dhe të burgosur të tjerë politikë.

Më 16 gusht, 16 njerëz u liruan nga burgjet në Rusi dhe Bjellorusi, përfshirë tre shtetas amerikanë, Alsu Kurmasheva, Evan Gershkovich dhe Paul Whelan – në këmbim të tetë rusëve, përfshirë të Krasikovut.

Krasikov u shpall fajtor në Gjermani më 2021 dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një ish-separatisti çeçen në një park në Berlin më 2019.

Në mars, pak pasi e siguroi mandatin e ri gjashtëvjeçar, Putini tha se u pajtua për këmbimin e Navalnyt me kusht që ai të mos kthehej kurrë më në Rusi./rel