Një spital nëntokësor në Izrael po përgatitet për sulme të mundshme

8 Gusht, 2024

Thellë nën qytetin verior izraelit të Haifës, ka një spital nëntokësor me salla operative, një maternitet dhe pajisje mjekësore, por nuk ka ende pacientë.

Qendra Mjekësore Rambam e gërmoi këtë bunker pas luftës Izrael-Hezbollah të vitit 2006. Zakonisht është një parking shumëkatësh, por mund të shndërrohet në spital në më pak se tri ditë.

Ky vend ka qenë në gatishmëri menjëherë pas sulmeve të Hamasit të 7 tetorit dhe fushatës ushtarake pasuese të Izraelit në Gaza.

Objekti ka më shumë se 2000 shtretër. Në rast të një sulmi të madh në Izrael, ai do të merrte pacientët ekzistues nga qendra mjekësore mbitokësore dhe spitale të tjera aty pranë. Gjithashtu, ka vend për të trajtuar viktimat e plagosura. Ndërsa kërcënimi i një lufte gjithëpërfshirëse rajonale duket i madh pas vrasjes së liderit politik të Hamasit Ismael Haniyeh dhe komandantit të lartë të Hezbollahut Fuad Shukr, javën e kaluar, mjekët thonë se janë të përgatitur për një sulm të madh në Haifa.

Njerëzit që jetojnë në këtë qytet janë mësuar me stërvitjet emergjente që zhvillojnë herë pas here. Fëmijët e shkollës rregullisht bëjnë prova se çfarë të bëjnë në rast sulmi. Haifa është i ashtuquajturi “qytet i përzier”, një vend ku një numër i konsiderueshëm i arabëve jetojnë përkrah hebrenjve.