Shitja globale në bursat ndërkombëtare nuk mund të linte të paprekur Wall Street-in, në një seancë të cilësuar si më e keqja e vitit. E keqja, në fund të fundit, kishte nisur të shfaqej që të premten e kaluar, pas publikimit të të dhënave zhgënjyese për tregun e punës në SHBA, që forcoi frikën për një recesion në ekonominë amerikane.
Kërkesat e papunësisë u rritën më së shumti që nga gushti 2023. Indeksi i prodhimit ISM, një barometër i aktivitetit të fabrikës në SHBA, arriti në 46.8%, më keq se sa pritej dhe një shenjë tkurrje ekonomike. Të dhënat e dobëta ngritën shqetësime tek investitorët se Rezerva Federale mund të jetë prapa kurbës për uljen e normave të interesit dhe shmangien e një recesioni.