Nis grumbullimi i serbëve në Mitrovicën e Veriut

7 Gusht, 2024

Serbët janë mbledhur në anën veriore të Urës së Ibrit të mërkurën për siç kanë thënë “gjendjen e keqe në të cilën po jetojnë”.

Në protestë shihen qindra pjesëmarrës.

Sipas mediave në Serbi, në protestë do të kërkohet edhe moshapja e Urës së Ibrit të cilën po e kërkon me ngulm Qeveria e Kosovës e ka hasur në kundërshtim të ndërkombëtarëve.

Serbët në veri pritet të protestojnë sot

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, protesta do të mbahet në sheshin “Car Lazar” me arsyen se “serbët janë në gjendje të keqe”.

“Grup i qytetarëve e ka lajmëruar protestën e nesërme në ora 11.00 që planifikohet të mbahet në sheshin ‘Car Lazar’. Arsyeja e kësaj proteste është gjendja e keqe e serbëve në të cilën gjinden. Protesta parashihet të jetë e qetë, ndërsa policia do të jetë aty në numër të mjaftueshëm që të mbajë rendin dhe qetësinë publike”, ka thënë Elshani.

Ndërkaq, mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për përhapje të pretendimeve të rrejshme, me qëllim të krijimit të frikës dhe reagimit nga KFOR-i në Mitrovicë.

Sipas Kurtit, deklaratat e fundit të Vuçiqit se shqiptarët do të mblidhen te Ura e Ibrit janë të pavërteta dhe synojnë të tensionojnë situatën.