Një eksperiment anti-NATO dhe një përpjekje për të shkaktuar një tërmet politik për të vënë në provë shumicën e qeverisë. Kështu e ka vlerësuar koalicioni “VLEN” interpelancën për kryeparlamentarin Afrim Gashi që e ka dorëzuar “Levica” për, siç kanë thënë, politikat joparimore në Kuvend, ndërsa kanë kërkuar edhe zëvendësimin e menjëhershëm të Gashit edhe nga LSDM, shkruan PRESSonline.al
Nga “Vlen” thonë se qëllimi i interpelancës nuk është mbrojtja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën e as Marrëveshja Kornizë e Ohrit, por që dikush të kontrollojë nëse opozita mund të gjejë interes të përbashkët për të vepruar së bashku.
Kërkohet një motiv, siç ishte incidenti në aeroport. Më pas, krijohet në mënyrë të koordinuar një histeri në publik, e më vonë në mënyrë pompëzuesë kërkohet përgjegjësi politike. Ndërtohet një konstrukt rreth sigurisë së Kryetarit të Kuvendit. Qëllimi është të shkaktohet një tërmet politik. Pse? Për të testuar shumicën qeveritare dhe për të parë nëse opozita mund të gjejë një interes të përbashkët për të vepruar së bashku”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN-it, përcjell PRESSonline.al
Deputeti i LSDM-së Mile Taleski për Kanal 5 ka deklaruar se do ta mbështesin interpelancën për Gashin të dorëzuar nga Levica, ndërsa kritikat e VLEN-it për eksperiment anti-NATO i cilësoi si defokusim nga incidenti. LSDM mbetet në kërkesën për përgjegjësi politike të kryeparlamentarit.
VMRO-DPMNE ka përsëritur të njëjtin qëndrim, se janë kundër interpelancës ndaj Gashit. Sipas tyre, institucionet kanë marrë masa të menjëhershme, dhe është lokalizuar përgjegjësia. Ata e konsiderojnë interpelancën si përpjekje për të fituar pikë politike.
Ende nuk ka asnjë reagim nga kryeparlamentari Afrim Gashi për interpelancën e dorëzuar. Sipas Rregullores së re pritet të jetë në rend dite të seancës pas pushimeve verore, në fillim të shtatorit, por është e sigurt se nuk do të ketë mbështetjen e mazhorancës qeverisëse.(PRESSonline.al)