VLEN: BDI dhe satelitët e saj kanë shkatërruar kulturën shqiptare

6 Gusht, 2024

BDI dhe satelitët e saj vazhdimisht kanë nëpërkëmbur kulturën shqiptare, dhe e fundit nga kjo nëpërkëmbje është edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut me drejtorin e këtij institucioni, Shkodran Tolaj, i cili si arritje në karrierë ka vetëm faktin që është këngëtar personal i Ali Ahmetit, thuhet në reagimin me shkrim të VLEN-it, pas ndodhive të fundit në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut, informon PRESSonline.al

“Rrëfimet e punonjësve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe janë skandaloze dhe të tmerrshme. Koalicioni VLEN përshëndet guximin dhe kurajon e këtyre punonjësve që kanë dalë publikisht për të shpalosur “mëkatet” e këngëtarit të Ali Ahmetit, Shkodran Tolaj. Ky person, në vend që të merret me avancimin e kulturës, është marrë me gjithçka tjetër përveç se me detyrën e tij primare, gjë që është emblematike për partinë që ka qeverisur këtë vend për 22 vite me kuadro joprofesionistë. Në vend se të zgjidhë statusin e punonjësve, ai ka zgjedhur t’i lë pezull dhe t’i degradojë, duke shfaqur arrogancën dhe mungesën e përgjegjësisë. Koalicioni VLEN, si pjesë e qeverisë, dënon ashpërsisht veprimet e drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, Shkodran Tolaj. Ai kishte mundësinë të zgjidhë statusin e artistëve, por zgjodhi të ndjekë të njëjtën rrugë të paaftësisë dhe neglizhencës si çdo institucion tjetër që udhëhiqet nga BDI dhe satelitët e saj. I bëjmë thirrje edhe prokurorisë publike që të hyjë në këtë institucion dhe të sheh nëse ka skelje edhe më të mëdha të punës së tij”, thuhet mes tjerash në reagim.

Koalicioni VLEN, thuhet mëtej në komunikatë, angazhohet të ndjekë këtë çështje deri në zgjidhjen e plotë të saj dhe të sigurojë që drejtësia të vihet në vend. “Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë shqiptare dhe të sigurojmë që artistët tanë të kenë mbështetjen dhe respektin që meritojnë”.(PRESSonline.al)