“Agron Sylejmani është vrarë në vendin e ngjarjes, ku u vra një polic i Kosovës e një i UNMIK-ut”

6 Gusht, 2024

Koloneli në Pension i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka shpalosur detaje nga historia “rrëqethëse” e 23 marsit të 2004-tës, ku është sulmuar një ekip i UNMIK-ut dhe ka mbetur i vrarë një polic aso kohe Shërbimit Policor të Kosovës [Policia e Kosovës] dhe një nga UNMIK-u.

Morina në emisionin “Mendje Kriminale” të Televizionit Dukagjini ka thënë se Agron Sylejmani ka qenë i vrarë në vendin e ngjarjes, si sulmues i kësaj ngjarjeje të marsit 2004.

“Ka ndodhur me 23 mars 2004. Si pasojë e kësaj kemi pasur një pjesëtar të Shërbimit Policor dhe UNMIK-ut të vdekur. Të gjitha gjurmët që janë gjetur në vendin e ngjarjes, është bërë skicimi, fotografimi i vendit të ngjarjes, marrja e gjurmëve që të identifikohen vrasësit e mundshëm të kësaj ngjarje. Kemi pasur një vrasje, ku në të ka vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një nga UNMIK-ut. Në bazë të fakteve dhe provave, kemi marrë informacionin se njëri nga sulmuesit, Agron Sylejmani, ishte vrarë në vendin e ngjarjes”, vijoi Morina.

Morina ka theksuar se kjo vrasje ka qenë vazhdë e trazirave të marsit të 2004-tës.

“Atë kohë ka qenë ngjarje bukur e rëndë, por edhe për Shërbimin Policor, pasi që Arsim Rrustolli mbeti i vdekur atu”, vijoi ai.