TikTok paditet për shkelje të privatësisë së fëmijëve

5 Gusht, 2024

Qeveria e SHBA-ve ka ngritur një padi të re kundër TikTok, duke akuzuar kompaninë e mediave sociale për mbledhjen e paligjshme të të dhënave të fëmijëve dhe pengimin e prindërve kur provonin t’i fshinin këto llogari.

Departamenti i Drejtësisë tha se praktikat e kompanisë arritën në një shkelje “në shkallë masive” të privatësisë së fëmijëve, në kundërshtim me ligjet që kërkojnë që kompanitë në internet të marrin pëlqimin e prindërve për të mbledhur informacion për ata nën moshën 13 vjeç. Zyrtarët thanë se firma, si dhe kompania mëmë ByteDance, ishin “shkelës të përsëritur”, duke vënë në dukje një rast të ngjashëm të sjellë në vitin 2019.

TikTok kundërshtoi pretendimet dhe vlerësoi përpjekjet e veta për të mbrojtur fëmijët. Kompania tha se kishte hequr në mënyrë proaktive përdoruesit e mitur dhe kishte vendosur vullnetarisht mbrojtje, të tilla si kufijtë e paracaktuar të kohës para ekranit dhe ‘nivele shtesë’ të privatësisë për të miturit.

Ankesa rrit presionin mbi TikTok dhe kompaninë mëmë kineze ByteDance, të cilat aktualisht janë në ‘betejë’ me SHBA-të për një ligj që kërcënon të ndalojë përdorimin e rrjetit social në këtë vend. Shtetet e Bashkuara akuzuan TikTok për zbatimin e mënyrave “të mangëta” të kontrollit për llogaritë e krijuara nga fëmijët dhe pengimin e prindërve kur ata u përpoqën t’i fshinin ato. Një rishikim i 1700 kërkesave nga prindërit për të anuluar llogaritë që janë bërë midis 2019 dhe 2020 zbuloi se 30% ishin ende aktive në nëntor 2021, sipas dosjes.

Zyrtarët i kërkuan gjykatës të urdhërojë ndalimin e veprimeve të TikTok dhe të përcaktojë dënime për çdo shkelje.

TikTok është ndër platformat më të njohura të mediave sociale në botë, mbi 1 miliard përdorues globalisht dhe më shumë se 170 milionë në SHBA. Sondazhet nga Pew Research kanë zbuluar se mbi 60% e adoleshentëve amerikanë të moshës 13-17 vjeç përdorin platformën, më shumë se gjysma e tyre çdo ditë.

Kompania është përballur me gjoba në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë për çështje të ngjashme.