Specialistët e farmacisë klinike mbeten jashtë institucioneve publike shëndetësore

5 Gusht, 2024

Rreth 30 specialistë të farmacisë klinike nuk po mund ta ushtrojnë profesionin e tyre në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, siç thonë për shkak të çështjeve teknike që ka statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Rishikimi i pjesës së terapisë së pacientëve, vlerësimi i përshtatshmërisë së efikasitetit të barit, kontrollimi i interaksioneve apo ndërveprimeve të ilaqeve dhe dozimi i terapisë janë disa nga detyrat dhe përgjegjësitë që kryhen nga farmacistët klinikë.

Specialistii Farmacisë Klinike, Astrit Haxhijaha në një intervistë për KosovaPress thotë se bashkë me rreth 30 kolegë të tjerë kanë përfunduar specializmin dhe janë licencuar nëpërmjet Odës së Farmacistëve të Kosovës, porse për shkak të statutit të QKUK-së dhe SHSKUK-së kanë mbetur jashtë si profil i ri.

Ai potencon se disa vite, specialistët janë financuar nga Ministria e Shëndetësisë, me një vlerë prej gjysmë milioni euro, por pas asaj nuk është ndërmarrë diçka.

“Farmacia Klinike është një profil i ri në Republikën e Kosovës, në të cilin për momentin janë diku 28 deri 30 specialistë të Farmacisë Klinike në të cilën kanë mbaruar specializimin dhe janë licencuar nëpërmjet Odës së Farmacistëve të Kosovës. Shumica e specialistëve të Farmacisë Klinike janë financuar dhe janë subvencionuar nga Ministria e Shëndetësisë me një vlerë prej gjysmë milionë euro. Pas përfundimit për shkaqe të çështjeve teknike në të cilën e ka statuti i Qendrës Klinike Universitare edhe i SHSKUK-së, të gjithë këta kanë mbetur jashtë, vetëm për shkak të këtij statuti. Kjo nënkupton që detyrat dhe përgjegjësitë e farmacistit klinik në të cilën janë specializuar dhe kemi mbajtur praktikë në Republikën e Maqedonisë, vetëm për këto përshkrimet dhe detyrat, atëherë ne për momentin mbetemi jashtë”, thotë Haxhijaha.

Për KosovaPress, derisa Haxhijaha tregon disa nga funksionet që mund të kryejnë specialistët e Farmacisë Klinike, potencon se tash e afro gjashtë vite kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë, QKUK-ja dhe SHSKUK-ja që të sistemohen në këto institucione shëndetësore apo në spitalet regjionale, porse nuk po marrin përgjigje pozitive.

Haxhijaha thekson se përgjigja rreth këtyre kërkesave shpjegohet me faktin se ka probleme teknike të statutit.

“Sa i përket përshkrimeve, çfarë duhet të bëjë një farmacist klinik pasi është si profil i ri për pacientët, por jo edhe për profesionistët shëndetësor. Farmacisti klinik rishikon pjesën e terapisë, pastaj vlerëson përshtatshmërinë e efikasitetit të një bari. Në anën tjerët, kontrollon interaksionet apo ndërveprimet e një bari, gjë që në mënyrë automatike ndikon edhe nëminimizimin e efekteve anësore të një bari. Dozimi i përket komplet pjesës së farmacistit. Pastaj edhe përcjellja e protokolleve ndërkombëtare si trajtohet një pacientë…Për mendimin tim duhet sa më shpejtë të sistemohen edhe në Qendrën Klinike por edhe në spitalet tjera regjionale. Ka pesë-gjashtë vite jemi duke diskutuar me Ministrinë e Shëndetësisë, kemi bërë kërkesë jo vetëm në MSh-, edhe në SHSKUK e QKUK. Kemi pasur tri herë takime edhe me grupet parlamentare për shëndetësi, i kemi dërguar shkresat. Mirëpo, çdo herë po thirren në çështjen teknike ‘statut ende nuk ka, derisa nuk rregullohet statuti ju do të rrini jashtë’…Mirëpo, vazhdon të mbetet pezull ende pa u sistemuar”, potencon Haxhijaha.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka provuar të merr përgjigje nga QKUK-ja dhe SHSKUK-ja, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndër të tjera, gjatë intervistës, specialisti i Farmacisë Klinike, Astrit Haxhijaha fletedhe për dukurinë e zëvendësimit të terapisë së pacientëve nga farmacistët në barnatore.

Ai thotë se mjeku mund ta përshkruajë një bari me emrin gjenerik dhe jo në atë komercial apo tregtar, në mënyrë që të evitohet mundësia për ndryshim apo zëvendësim të terapisë.

Haxhijaha potencon se zakonisht një dukuri e tillë apo edhe dhënia e ilaqeve pa recetë, ndodhë nëpër barnatore kur ato funksionojnë pa prezencën e farmacistit.

“Në udhëzimin administrativ apo në institucionet publike shëndetësore ekzistojnë disa lloje të recetave, pra kemi receta me barna që jepen në institucionet publike, pastaj në ato private dhe kemi recetat me barnat që janë me narkotikët…Sa i përket ndryshimit të barnave që jepen në barnatore, mendoj që mjeku mund ta përshkruajë një bari, por mund të përshkruajë vetëm në emrin gjenerik dhe jo në emrin komercial ose në emrin tregtar. Vetëm në të njëjtën formë mund ta përdorë pjesën tregtare ose komerciale, nëse një bari ka dy e më shumë substanca aktive ose kur i ka të kombinuara, atëherë mund ta përdorë në përshkrimin e barit produktin i cili është me emrin tregtar. Sa i përket pjesës së barnave të cilat zëvendësohen ose jepen pa recetë, mendoj që shkaqet kryesore që një bari jepet në barnatore pa recetë është mos prezenca e farmacistit në barnatore, ku shpesh zëvendësohet prej ndonjë profesionisti shëndetësor dhe pikërisht ndodhë edhe dhënia e barit pa recetë”, potencon Haxhijaha.

Në raste të tilla, Haxhijaha thotë se duhet të lajmërohet Inspektorati Shëndetësor për të parë nga afër se a bëhet fjalë për ndonjë shkelje apo keqkuptim nga barnatoret./KosovaPress