Në ceremoninë e zbulimit të propozimit fitues për zhvillimin e masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i bindur që ai do të pasqyrojë dinjitetshëm qëndresën dhe luftën heroike të familjes Jashari për liri.
“Do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari – rrëfim i cili do të kalojë barrierat kohore të brezit tonë, dhe ato hapësinore të vendit tonë. Dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht”.
Kurti shtoi so nuk do të kursehet as edhe një gjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht.
“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm, dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, ka shtuar kryeministri.