Dy persona janë arrestuar në Ferizaj, një 75 dhe një 48-vjeçar, nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht një person tjetër për shkak të një vendparkimi.
Siç ka njoftuar policia, ata dyshohet se viktimës ia kanë dëmtuar edhe gomat e veturës.
Rasti ka ndodhur të dielën në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” në Ferizaj dhe është cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
“Të dyshuarit: XH.H. ( M/K) i moshës 75-vjeçar dhe SH.H ( M/K) i moshës 48-vjeçar janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar edhe një kaçavidë, me të cilën dyshohet se është përdorur në këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.